Një nga monumnetet më të rëndësishme të qytetit të Himarës është edhe kalaja e saj e cila u ngrit që në mesin shek IV para lindjes së Krishtit dhe për herë të parë është banuar nga fisi i Kaoneve. E vendosur në kodrën Barbakasë, me pamje të mrekullueshme nga kanioni i Vishës, plazhi i Livadhit dhe vargmali i Vetëtimës, kalaja e Himarës është simboli i qytetërimit dhe i kulturës himariote.
E shtrirë përgjatë bregut të detit Jon në jug të Shqipërisë, Himara ka një histori të gjatë që daton që nga periudha antike ku njihej me emrin Kimera.
Ajo është rinovuar dhe rindërtuar disa herë ndër shekuj dhe sot mund të gjejmë një kala e cila ende rrethohet nga muret e saj të lashtë me gurë masivë dhe përbëhet nga shtëpi karakteristike disa prej të cilave ende banohen, duke e bërë kështu një nga të rrallat kala të këtij lloji në Shqipëri.
Nëse do të shkonim në Himarë do të na dukej sikur jemi në brendësinë e një pikutre të Qirjako Menikos, kudo do të dëgjonim këngët polifonike dhe poetikën e Neço Mukos dhe Lefter Çipes. Nuk do të mund të mbeteshim pa vizituar Dhërmiun, qytetin e lindjes së Petro Markos, Qeparoin e vjetër, cilesuar si një pasuri kulturore dhe një nga fshtrat më të bukur të jugut, Vunoin nga ku janë Dhimitër Anagnosti dhe Odhise Grillo, Livadhin me ujin e kristaltë dhe guralecët e bardhë… Në çdo hap që do të hidhnim përgjatë këtij vendi te skalitur nga lashtësia, do të përjetonim një copëz nga kultura, peisazhet mbreslënëse, karakteri i spikatur i vendasve dhe nga vetë magjia e tij.